Trajtimi i HIV-it me ndihmën  e qelizave staminale

Trajtimi i HIV-it me ndihmën  e qelizave staminale

Në hap me kërkimet më të fundit shkencore

Një burrë 53-vjeçar iu nënshtrua një transplanti për trajtimin e një sëmundjeje akute të gjakut (leuçemisë), e cila ishte zhvilluar në prani të infeksionit me HIV.

Transplanti përfshinte qeliza staminale nga një donator me një mutacion të rrallë në gjenin CCR5, i cili njihet për aftësinë e tij për të penguar hyrjen e HIV-it në qeliza.

Dhjetë vjet pas transplantimit dhe më shumë se katër vjet pas ndërprerjes së terapisë kundër HIV-it, pacienti gëzon shëndet të mirë. Kur mori diagnozën në vitin 2008, ai nuk besonte se shërimi ishte i mundur. Sot, si një person që nuk jeton më me HIV, ai shprehet krenar për ekipin ndërkombëtar të mjekëve që ia bëri të mundur shërimin. Sipas shkencëtarëve, fakti që virusi nuk është rikthyer është rezultat i përgatitjes së kujdesshme shkencore dhe terapeutike, si edhe i monitorimit afatgjatë.

Ata theksojnë veçanërisht se ky studim përfaqëson ndjekjen diagnostikuese më të gjatë dhe më të detajuar të një pacienti me HIV pas transplantimit të qelizave staminale. Transplantimi i qelizave staminale përfshin shkatërrimin e të gjitha qelizave të sëmura të gjakut dhe zëvendësimin e tyre me qeliza staminale të shëndetshme nga gjaku ose palca e kockave.

Në emër të ekipit ndërkombëtar, Dr. Bjorn-Erik Ole Jensen deklaroi se, bazuar në rezultatet e studimit, tani mund të konfirmohet se është e mundur të parandalohet në mënyrë të qëndrueshme riprodhimi i HIV-it duke kombinuar metoda kyçe.

"Nga njëra anë, kemi eliminimin e rezervuarit të virusit në qelizat imunitare me jetëgjatësi të madhe, ndërsa nga ana tjetër, transferimin e rezistencës ndaj HIV-it nga sistemi imunitar i donatorit te marrësi, duke bërë që virusi të mos ketë asnjë mundësi të përhapet sërish. Tani nevojiten kërkime të mëtejshme për të bërë të mundur zbatimin e kësaj qasjeje edhe jashtë kushteve shumë specifike që kemi përshkruar."

Pacienti i përmendur vendosi të heqë dorë nga privatësia e tij për të mbështetur mbledhjen e fondeve dhe, përmes përvojës së tij, të kontribuojë në luftën kundër stigmatizimit të personave që jetojnë me HIV.

Burimi: Nature (https://www.nature.com)

Sign In